Kos Grek: të bëjmë zgjedhjen e duhur

kos grek
26/08/2023

Kosi është një derivat qumështi i gjithanshëm, që ka zënë një vend të veçantë në shumë dieta dhe në veçanti kosi grek shquhet për karakteristikat e tij unike. 

I pasur me proteina të cilësisë së lartë, kosi grek nuk është vetëm një opsion i shkëlqyer për mëngjes, por edhe një zëvendësues i shëndetshëm i panave dhe maskarpones në recetat e ëmbëlsirave. 
Profili i tij ushqyes dhe larmishmëria e markave në pikat e shitjes, e bëjnë atë një zgjedhje popullore në mesin e konsumatorëve.

Origjina dhe mjeshtëria e kosit grek

Kosi grek është prodhuar nga qumështi i fermentuar duke përdorur kulturat bakteriale Streptococcus dhe Lactobacillus. Këto kultura transformojnë laktozën në acid laktik, duke ndryshuar strukturën, konsistencën dhe shijen e qumështit. 
Ajo që e veçon jogurtin grek është procesi i tij unik i filtrimit, prej të cilit përftohet një kos më i trashë, më kremoz dhe me atribute të dallueshme ushqyese dhe ndijore.


Tradicionalisht i njohur nga Greqia, por edhe Bullgaria dhe Turqia, kosi grek ka fituar popullaritet ndërkombëtar. Vitet e fundit, është bërë një opsion i kërkuar në shumë rajone, i disponueshëm në varietete me yndyrë të plotë, si dhe në varietete të skremuara pjesërisht ose plotësisht.

Vetitë ushqyese

Kosi grek çmohet për përmbajtjen e tij të lartë të proteinave, duke pasur afërsisht dyfishin e proteinave që gjendet në kosin e zakonshëm. Kjo përmbajtje e proteinave ofron një efekt të fortë ngopës, duke e bërë atë një zgjedhje ideale për mëngjes të shëndetshëm. Përmbajtja e proteinave është veçanërisht e dobishme për ata që kërkojnë të ruajnë masën e muskujve dhe të mbështesin funksione të ndryshme trupore.

Përmbajtja e yndyrës së kosit grek varet nga lloji i qumështit të përdorur, qoftë i plotë apo i skremuar. Ndërsa kosi grek me qumësht të plotë përmban sasi të moderuara të yndyrës, duke përfshirë yndyrnat e ngopura. Versionet me 0% yndyrë ose të skremuara eliminojnë plotësisht yndyrnat e ngopura. 

Karbohidratet në kosin grek kryesisht përbëhen nga sheqerna të thjeshta, duke kontribuar në ëmbëlsinë e tij delikate. Jogurtet grekë të aromatizuar ose të pasuruar me fruta mund të kenë përmbajtje më të lartë sheqeri për shkak të përbërësve të shtuar.

Kalciumi, një mineral kritik për shëndetin e kockave dhe muskujve, është mjaft i pranishëm në kosin grek. Vetëm një porcion prej 125 g jogurt grek mund të plotësojë gati 20% të nevojave ditore për kalcium. Përveç kësaj, kosi grek ofron një sërë vitaminash B, duke ndikuar në prodhimin e energjisë dhe forcimin e imunitetit.

Kosi grek me apo pa laktozë?

Kosi grek, ashtu si të gjitha produktet natyrale të qumështit përmban sheqer natyral, laktozë. Por, intoleranca ndaj laktozës nuk duhet të jetë një problematikë kur bëhet fjalë për kosin grek.

"Nëse jeni shumë intolerant ndaj laktozës, ka disa marka që prodhojnë kos grek 100% pa laktozë. Nëse keni mjë intolerancë të lehtë ndaj laktozës, kosi i thjeshtë grek mund të mos shkaktojë probleme". Për më shumë, i referohemi artikullit këtu nga American Dairy.

Gjatë procesit të prodhimit të tij, pjesa më e madhe (jo e gjitha) e laktozës hiqet. Përveç kësaj, kulturat e gjalla aktive, të quajtura edhe probiotikë, brenda kosit grek ndihmojnë në shpërbërjen e saj. Laktoza e pranishme në kos vazhdon të ulet me kalimin e kohës ndërsa ruhet në frigorifer, pasi bakteret probiotike vazhdojnë të shpërbëjnë përmbajtjen e laktozës. 

Disa lloje kosi, duke përfshirë varietetet pa laktozë, mund të përmbajnë sheqer të shtuar. Kosi grek mund të përmbajë më pak sheqer, në krahasim me varietetet e kosit pa laktozë dhe mund të zbuloni se sasitë e vogla të laktozës në kosin grek nuk ju shkaktojnë shqetësime.



Faktorët që duhen marrë parasysh kur zgjedhim kosin grek

1. Sheqeri i shtuar:
Shumë lloje kosi, duke përfshirë varietetet greke janë të aromatizuara dhe të ëmbëlsuara, duke rezultuar në përmbajtje potencialisht të lartë të sheqerit të shtuar. 
Është thelbësore të lexojmë etiketat, pasi disa opsione të ëmbëlsuara mund të përmbajnë deri në 16 gram sheqer të shtuar për racion. Kjo është e barabartë me rreth 4 lugë çaji sheqer të shtuar. Kufizimi i marrjes së sheqerit të shtuar është thelbësor për shkak të lidhjes së tij me shqetësime të ndryshme shëndetësore, si diabeti, sëmundjet e zemrës, mëlçia, depresioni dhe obeziteti.

Këshillë: Zgjedhim kos grek të pa ëmbëlsuar dhe përmirësojmë shijen e tij duke shtuar ëmbëlsues natyralë si frutat e freskëta.

2. Përmbajtja e yndyrnave:
Përmbajtja e yndyrës së kosit grek ndryshon në bazë të llojit të qumështit të përdorur në prodhim. Kosi grek me qumësht të plotë përmban më shumë yndyrë dhe kalori në krahasim me versionet me pak yndyrë ose pa yndyrë.

Sidoqoftë, përmbajtja më e lartë e yndyrës nuk do të thotë se është një zgjedhje e pashëndetshme. Në fakt, produktet e qumështit me yndyrë të plotë mund të ofrojnë përfitime të dallueshme shëndetësore, në krahasim me varietetet me pak yndyrë ose zero yndyrë.

Këshillë: Zgjedhim përmbajtjen e yndyrës që përputhet me preferencat tona dietike dhe qëllimet e përgjithshme shëndetësore. 

Duke qenë të ndërgjegjshëm ndaj këtyre faktorëve, mund të merrim një vendim të mirëinformuar gjatë blerjes.