Qumeshti i fresket apo UHT

Qumeshti i fresket apo UHT
17/02/2024

Proteinat dhe kalciumi në sasi, e bëjnë qumështin një ushqim të rëndësishëm për organizmin. Larmishmëria që na ofrohet është e gjerë dhe jo pak herë konfuze: qumështi i freskët, i mikrofiltruar apo ai UHT është më i përshtatshmi për mua?
Ajo që bën dallimin midis llojeve të ndryshme është përmbajtja e yndyrës dhe trajtimi termik i cili, ndikon në kohëzgjatjen dhe metodat e ruajtjes (në frigorifer ose në temperaturën e dhomës). 

Llojet e qumështit sipas trajtimit termik

Qumështi i papërpunuar: nuk ka pësuar asnjë trajtim dhe duhet konsumuar shpejt. Zakonisht shitet në ferma ose tek shpërndarësit e qumështit. Është e rëndësishme që gjithmonë ta ziejme para konsumimit siç tregohet në etiketë ose udhëzohet nga tregtari.

Qumështi i freskët i pasterizuar: ky është qumështi klasik, i nënshtrohet një trajtimi të shkurtër termik (rreth 15 sekonda në 72°C). Ai ruan shijen dhe cilësinë ushqyese të qumështit origjinal, por prishet shpejt dhe mund të ruhet në frigorifer për maksimumi gjashtë ditë.

Qumështi i freskët i pasterizuar me cilësi të lartë: Ky lloj qumështi i nënshtrohet një trajtimi termik më delikat se qumeshti klasik. Për këtë arsye, qumështi fillestar duhet të ketë plotesuar kërkesa të larta higjieno-sanitare.

Qumështi i mikrofiltruar: Përveç pasterizimit, ky qumësht i nënshtrohet mikrofiltrimit që eliminon shumicën e baktereve. Ruan shijen e qumështit të freskët dhe mund të qëndrojë më gjatë në frigorifer (10-15 ditë).

Qumështi i pasterizuar në temperaturë të lartë: Ky lloj qumështi i nënshtrohet një trajtimi termik që qëndron midis qumështit të freskët dhe atij UHT. Mund të ruhet në frigorifer për rreth 25 ditë.

Qumështi UHT (Ultra High Temperature)- Temperaturë ultra e lartë
Ky është qumështi i trajtuar në një temperaturë shumë të lartë (135°-140°C) për 2-5 sekonda për të eliminuar çdo formë bakteriale. Mund të zgjasë nga 3 deri në 5 muaj në temperaturën e dhomës dhe për këtë arsye është shumë i përshtatshëm për ata që nuk bëjnë pazar çdo ditë.

Qumështi Steril: Ky qumësht i nënshtrohet një trajtimi termik përfundimtar të sterilizimit në një enë të mbyllur. Mund të zgjasë për të paktën gjashtë muaj në temperaturën e dhomës.

Llojet e qumështit sipas yndyrës që përmbajnë

Nga pikëpamja e përmbajtjes së yndyrës ekzistojnë tre lloje qumështi:

Qumësht i plotë: përmbajtja e yndyrës nuk mund të jetë më pak se 3.5%

Qumësht pjesërisht i skremuar: përmbajtja e yndyrës varion nga 1,5 në 1,8%

Qumësht i skremuar: përmbajtja e yndyrës nuk mund të kalojë 0,5%

Një tjetër lloj qumështi që mund të gjendet në supermarkete është qumështi pa laktozë. Në këtë produkt, sheqeri në qumësht (laktoza) zbërthehet në glukozë dhe galaktozë. Keshtu perftohet një produkt i përshtatshëm për ata që janë intolerantë ndaj laktozës dhe duhet të ndjekin masa të veçanta paraprake në dietën e tyre.

Vlerat ushqyese të qumështit

Qumështi është burim i proteinave dhe kalciumit në vlera të larta. Në 100 ml qumësht ka afërsisht 120 mg kalcium. Përveç kësaj, qumështi përmban minerale të tjera thelbësore si fosfor dhe zink, si dhe vitamina A, B2, B12 dhe D, megjithëse në sasi më të vogla. 

Udhëzimet dietike sugjerojnë që qumështi dhe derivatet e tij mund të përfshihen në mënyrë të sigurtë në një dietë të larmishme dhe të ekuilibruar, në sasinë dhe proporcionin e duhur. Rekomandohen tre racione qumësht ose kos në ditë (një porcion është i barabartë me një gotë me 125 ml qumësht ose një kupe me 125 g kos) dhe tre racione djathë në javë (50 g për djathë të vjetër dhe 100 g për djathë të freskët).

Çfarë të kemi parasysh kur zgjedhim qumështin për fëmijë?

Kur zgjedhim qumështin për fëmijët, është e rëndësishme të mbajmë parasysh moshën e tyre dhe çdo alergji apo kufizim dietik që mund të kenë. 
Për foshnjat rekomandohet qumështi i gjirit ose formula. 
Për vogelushet dhe fëmijët, qumështi i plotë rekomandohet shpesh për përmbajtjen e tij të lartë të yndyrës, e cila është thelbësore për rritjen dhe zhvillimin. 
Për fëmijët me intolerancë ndaj laktozës ose alergji, qumështi pa laktozë ose alternativat e qumështit me bazë bimore mund të jenë të përshtatshme, i drejtohemi gjithmone pediatres së fëmijës!

A ndryshojnë vlerat ushqyese?

Qumështi i freskët dhe qumështi UHT kanë vlera të ngjashme ushqyese, por qumështi UHT ka një jetëgjatësi më të gjatë për shkak të trajtimit në temperaturë ultra të lartë. Qumështi UHT mund të ruhet në temperaturën e dhomës derisa të hapet, ndërsa qumështi i freskët duhet të ruhet në frigorifer.