Si konservohet luleshtrydhja?

luleshtrydhja e ngrire ruajtja e duhur
22/06/2023

Luleshtrydhja është një burim i rëndësishëm i vitaminave, fibrave dhe kripërave minerale. Frutat rekomandohen për një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar.

Ruajtja e duhur e tyre ndihmon të mos i shpërdorojmë dhe së bashku me ruajtjen e duhur ka edhe zakone të tjera të mira, që duhet t'u përmbahemi për të luftuar çdo ditë mbetjet ushqimore.

Ruajtja e luleshtrydheve në frigorifer:

Luleshtrydhet janë fruta delikate dhe mund të përkeqësohen shpejt nëse nuk ruhen siç duhet. 

Zgjidhim luleshtrydhet që janë të pjekura, të kuqe dhe pa shenja të prishjes. 
Hiqet çdo luleshtrydhe e mavijosur ose e kalbur.
Duhet shmangur larja e luleshtrydheve menjëherë pas blerjes ose mbledhjes, pasi uji mund të përshpejtojë dekompozimin e tyre. 
Është mirë që t'i lajmë pak para se t'i konsumojmë.

Para se t'i vendosim në frigorifer, heqim gjethet, pasi ato mund të shkaktojnë akumulimin e lagështirës. 

Mund t'i ruajmë në një enë të cekët ose në një pjatë ku kemi vendosur më parë një leckë ose letër kuzhine. Mbështjellim enën me pelikola për t'i mbrojtur ato. 
Për të shmangur grumbullimin e lagështirës, zgjedhim një enë të bollshme, kështu luleshtrydhet do të kenë hapësirën e nevojshme.

Luleshtrydhet janë më të mira kur hahen të freskëta. Sugjerohet konsumi brenda 2 ditësh për t'i shijuar në freskinë dhe shijen maksimale.

Ruajtja e luleshtrydheve në ngrirje:

Nëse kemi një sasi të tepërt luleshtrydhesh dhe nuk mund t'i përdorim të gjitha para se të prishen, mund t'i ngrijmë për përdorim në të ardhmen. 

- I lajmë, i thajmë dhe i heqim kërcellin. 
- I vendosim në një shtresë të vetme në një enë dhe i vendosim në ngrirje për 2 orë. 
- Më pas, i transferojmë ato në një qese ngrirëse të mbyllur. 
- Luleshtrydhet e ngrira mund të përdoren për smoothie, lëngje, ëmbëlsira ose pjata të tjera.

Larja e duhur e luleshtrydheve:

Për të larë siç duhet luleshtrydhet para ngrirjes, ndjekim këto hapa:

- Përgatisim një tretësirë ​​me ujë dhe uthull të bardhë: Përziejmë një pjesë të uthullës së bardhë me tre pjesë ujë të ftohtë në një tas mjaft të madh që të përshtaten të gjitha luleshtrydhet.

- Zhysim luleshtrydhet në tretësirë: Vendosim luleshtrydhet në tasin që përmban tretësirën, duke i zhytur plotësisht.

- Rrotullojmë butësisht luleshtrydhet për rreth 30 sekonda, kjo do të ndihmojë në heqjen e çdo papastërtie ose mbetje të pesticideve.

Shpëlarja me ujë të ftohtë: 
- I Kullojmë luleshtrydhet nga tretësira me uthull dhe i shpëlajmë nën ujë të ftohtë të rrjedhshëm për të hequr uthullën e mbetur.

Tharja e luleshtrydheve: 
- Përdorim një pecetë ose peshqir letre për të tharë butësisht luleshtrydhet. Duhet që ato të jenë plotësisht të thata para ngrirjes për të shmangur krijimin e akullit rreth luleshtrydheve.

Tani luleshtrydhet janë gati për t'u ngrirë si përshkruar më lart.