Si konservohet kivi?
22/06/2023
Kivi është një burim i rëndësishëm i vitaminave, fibrave dhe kripërave minerale. Frutat rekomandohen për një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar. Ruajtja e duhur e ushqimit na ndihmon të mos e shpërdorojmë atë, dhe së bashku me ruajtjen e duhur ka edhe zakone të tjera të mira që duhet t'u përmbahemi për të luftuar çdo ditë mbetjet ushqimore.
Si të ruajmë kivin në frigorifer:
Për të zgjatur jetëgjatësinë e kivit, mund ta ruajmë në frigorifer, në ndarjen e frutave për një javë. Këshillohet që kivit të vendosen brenda qeseve, duke i hapur disa mikrovrima, përmes të cilave eliminohet lagështia e tepërt dhe ruahet freskia e frutave për më gjatë. Para se t'i vendosim në frigorifer, sigurohemi që të jenë pjekur. Nëse kemi prerë një kivi, por nuk e kemi përdorur tërësisht, pjesën e mbetur mund ta ruajmë në frigorifer. Mbështjellim pjesën e prerë me pelikola ose e vendosim në një enë hermetike. Këshillohet që kivi i prerë të konsumohet brenda 2-3 ditësh për të ruajtur freskinë dhe cilësinë e tij.
Si të ruajmë kivin në ngrirje:
Nëse kemi një sasi të madhe kivi dhe nuk mund t'i konsumojmë para se të prishen, mund t'i ngrijmë për përdorim në të ardhmen. - Qërojmë kivit, i presim në feta dhe i vendosim në një shtresë të vetme në enë, duke u kujdesur që të mos prekin njëra-tjetrën. Kjo do të ndihmojë në parandalimin e ngjitjes së tyre gjatë ngrirjes. - Vendosim enën me kivi në ngrirës dhe i ngrijmë për rreth 1-2 orë ose derisa copat e kivit të jenë të forta. Pasi fetat e kivit të jenë ngrirë, i transferojmë ato në qese ngrirëse të mbyllura ose në enë të posaçme ngrirëse. Sigurohemi që të hiqet ajri i tepërt nga qeset përpara mbylljes së qeses. Konsumohen mundësisht brenda 6-8 muajsh.
Ruajtja e kivit në temperaturën e dhomës:
Nëse kivit që kemi blerë nuk janë pjekur ende, mund t'i lemë në temperaturën e dhomës derisa të arrijnë pjekjen e dëshiruar. Kivit do të piqen më shpejt nëse i vendosim në një qese letre së bashku me një mollë ose banane, të cilat lëshojnë gaz etilen, që përshpejton procesin e pjekjes.