Si të ruani qumështin e gjirit

qumeshti i gjirit konservimi dhe ruajtja
24/06/2023

Qumështi i gjirit është një ushqim i çmuar i pasur me lëndë ushqyese dhe antitrupa thelbësorë për fëmijën. Të ushqyerit me gji është një përvojë unike dhe e veçantë, por ka situata në të cilat nënat detyrohen të ndërpresin dhënien e gjirit, qoftë edhe për momentin.


Karakteristikat e qumështit të nënës:

Qumështi i nënës është unik dhe plot me lëndë ushqyese thelbësore për fëmijën. Tretet lehtësisht dhe përmban antitrupa që mbrojnë sistemin imunitar të të porsalindurit. 
Për më tepër, qumështi i gjirit ndryshon përbërjen gjatë ditëve për t'iu përshtatur nevojave të foshnjës.

Ruajtja e qumështit të sapombledhur të gjirit:

Pas nxjerrjes së qumështit të gjirit, është e rëndësishme ruajtja e tij në mënyrën e duhur për të ruajtur cilësitë ushqyese. 

- Qumështi duhet kaluar në enë të sterilizuara dhe të mbyllura mirë, duke etiketuar gjithmonë me datën e mbjedhjes së tij. 

- Të gjithë përbërësit e pompës që bien në kontakt me gjirin dhe qumështin e nënës duhet të lahen, shpëlahen dhe sterilizohen një herë në ditë. 

- Për mbledhjen e qumështit është e nevojshme të përdoren enë të posaçme të disponueshme në shitje, të bëra prej qelqi ose plastike të përshtatshme, një ose disa-përdorimshme. Kontentitorët disa përdorimësh duhen larë me uje dhe sapun me shumë rigorozitet.


Ku të ruani qumështin e gjirit:

Ruajtja e qumështit të gjirit varet nga kushtet mjedisore. 

Nëse është e mundur, vendoset në frigorifer me temperaturë konstante ndërmjet 0°C dhe 4°C. Këshillohet të shmanget vendosja e qumështit të gjirit në derën e frigoriferit, pasi ndryshimet e temperaturës mund të ndikojnë në cilësinë e tij. Nëse nuk kemi akses në frigorifer sipas rrethanave, mund të përdorim një çantë termike (termus) për ta mbajtur atë të freskët për një kohë të shkurtër. 

Koha e ruajtjes dhe temperaturat:

-Jashtë frigoriferit në temperaturë dhome (jo më shumë se 25 °C) jo më shumë se 4 orë

-Në frigorifer (0 - 4°C)  deri në 4 ditë. Nëse planifikohet të mos përdoret brenda këtij kufiri, duhet transferuar në ngrirës.

-Në ngrirës (– 18°C) për maksimumi 6 muaj, por për ruajtjen më të mirë të vlerave ushqyese jo me shume se 4 muaj.
A mund ta ruaj qumështin e gjirit në shishe apo biberon?

Ruajtja e qumështit të gjirit në shishe nuk rekomandohet. Është më mirë të përdorni kontenitorë të sterilizuar të projektuar posaçërisht për ruajtjen e qumështit të gjirit. Në këtë mënyrë zvogëlohen rreziqet e kontaminimit dhe freskia e qumështit ruhet për një periudhë më të gjatë.

Qumështi i gjirit kur ftohet shtresëzohet në 2 pjesë:

Është normale që qumështi i gjirit të ndahet në dy shtresa kur ruhet në frigorifer. Para përdorimit, butësisht tundim enën për të përzier qumështin dhe për të rivendosur konsistencën e tij homogjene. 
Shmangim tundjen e qumështit me forcë, pasi kjo mund të ndikojë në cilësinë e tij.

Kujdes: 
Nuk këshillohet kombinimi i qumështit të freskët të sapo mbledhur, me qumështin e ruajtur në frigorifer. Më mirë të përdoret një kontenitor i veçantë për cdo mbledhje qumështi që bëhet.


Ngrirja e qumështit të gjirit:

Ngrirja është një mënyrë e shkëlqyer për të ruajtur qumështin e gjirit për një periudhë më të gjatë. Përpara se ta vendosim në ngrirje, sigurohemi që të përdorim enë specifike për ruajtjen e qumështit të gjirit.
Mbushim enën deri në tre të katërtat për të lejuar zgjerimin e qumështit gjatë procesit të ngrirjes.

Shkrirja e qumështit:

Qumështi i gjirit mund të shkrihet duke e vendosur nga ngrirësi në pjesen freskuese të frigoriferit për rreth 12 orë, ose duke e vendosur nën ujë të nxehtë, temperatura maksimale e të cilit nuk duhet të kalojë 37°C. 

Megjithatë, nuk rekomandohet shkrirja në temperaturën e dhomës. 

Gjithashtu nuk rekomandohet përdorimi i mikrovalës ose shkrirjes në ujë të vluar. Këto metoda në fakt mund të dëmtojnë vetitë ushqyese dhe mbrojtëse të qumështit dhe të krijojnë "flluska" më të nxehta, të cilat rrezikojnë të shkaktojnë djegie tek fëmijët.

Pasi të jetë shkrirë, qumështi mund të ruhet maksimumi 2 orë në temperaturën e dhomës dhe jo më shumë se 24 orë në frigorifer.

Qumështi i gjirit, pasi të shkrihet, nuk duhet të ngrihet kurrë më.
Qumështi i gjirit i shkrirë mund të ketë një shije të lehtë të thartë, por kjo nuk ka lidhje me cilësinë e vetë qumështit.
Burimi: Ospedale Bambino Gesu