Helmimi nga ushqimi

helmimi nga ushqimi
15/06/2023

Helmimit nga ushqimi veçanërisht përgjatë stinës së verës i duhet kushtuar shumë rëndësi. I nxehti i verës stimulon dëshirën për ushqim të freskët dhe të papërpunuar, duke na ekspozuar edhe më shumë drejt mundësisë për t'u intoksikuar nga ushqimi. 

Nga peshku i papërpunuar deri tek majoneza, nga djathi i freskët tek perimet e palara: me rritjen e temperaturave, frigoriferi ynë është i mbushur me gracka.
Këto produkte në kushte jo të duhura të ruajtjes, mund të zhvillojnë mikroorganizma patogjenë. Kryesisht në traktin gastrointestinal shkaktojnë simptoma të bezdisshme si të vjellat, dhimbjet e stomakut, ngërçet e barkut dhe diarrenë, ndonjëherë edhe të lidhura me ethe dhe në raste të rënda bllokim neuromuskular.

Cilat ushqime janë më me risk për t’na helmuar?

Stina e verës është veçanërisht e rrezikshme sepse nxehtësia shumëfishon rrezikun e kontaminimit, pasi është më e vështirë të sigurohet respektimi i zinxhirit së ftohjes, si për ushqimet e blera ashtu edhe për ato të shtëpisë.

Sipas ISS- Institutit Italian të Shëndetësisë: "Ndotja e ushqimit, veçanërisht në verë, mund të ndodhë në shumë mënyra. Disa mikroorganizma janë të pranishme në zorrët e kafshëve të shëndetshme dhe bien në kontakt me mishin e tyre gjatë therjes. Frutat dhe perimet mund të kontaminohen nëse lahen ose ujiten me ujë të ndotur me fekale kafshësh ose njerëzish. Ndërsa salmonela mund të kontaminojë vezët pas infektimit të sistemit ovarian të pulave."

Ndër ushqimet që mund të rezultojnë me risk të lartë, listohen:

-Kremrat dhe salcat që përmbajnë vezë (si majoneza)
-Derivatet e mishit dhe të kafshëve
-Prodhimet e detit (sidomos nëse janë të papërpunuara)
-Produktet e qumështit
-Perimet e pagatuara
-Vezët
-Akulli

Rregullat për të shmangur helmimin nga ushqimet në verë

Mjafton të ndiqen disa rregulla të thjeshta për të zvogëluar rrezikun e infeksioneve për shkak të konsumit në verë të ushqimeve që përmbajnë substanca toksike ose baktere:

- Higjenizimi i rregullt i vendve ku ruajmë produktet dhe pajisjet e kuzhinës si lavastovilje, lavamani, dërrasat prerëse, kontenitorët, ulin rrezikun për përhapjen e baktereve. Lajmë duart mirë pasi kemi prekur frutat dhe perimet e blera, ose pasi kemi trajtuar ushqime të natyrave të ndryshme. Duhen ndërruar sa më shpesh peshqirët e kuzhinës.


- Vendosja e ushqimeve në raftin e duhur të frigoriferit është baza e ruajtjes së mirë. Duhen përdorur enë qelqi ose vakum për të ruajtur mbetjet e ushqimeve, duke mos i lënë kurrë në enët e gatimit.
Asnjëherë nuk duhet vendosur ushqimi i nxehtë ose i vakët në frigorifer sepse shkaktojnë një rritje të temperaturës së brendëshme. Pastrojmë me kujdes sipërfaqet e brendshme të frigoriferit duke përdorur ujë dhe uthull ose detergjentë të përshtatshëm.


- Lajmë gjithmonë frutat dhe perimet mundësisht me një lugë gjelle sodë buke, duke i lënë në ujë për 15 minuta. Pas larjes është e rëndësishme të mos i vendosim pa i tharë vnë frigorifer produktet, pasi ato mund të zhvillojnë baktere patogjenike që ndotin pjesën tjetër të ushqimit. Nëse blejmë perime në qese, duhen larë gjithmonë edhe nëse tregohet në paketim se nuk është e nevojshme.


- Peshqit e pastruar nga zorrët duhet të lahen nën ujë të rrjedhshëm. më pas duhet t'i thajmë mirë, t'i mbyllim në enë hermetike ose i mbështjellim me film transparent, dhe i vendosim në fund të frigoriferit. Duhen konsumuar brenda 24 orëve.


- Produktet e bulmetit dhe vezët nuk duhet të lihen të lira në frigorifer, por të ruhen në kontenitorë të veçantë në raftin qendror të frigoriferit. Duhet të shmangim mbajtjen e vezëve në derën e frigoriferit, për shkak të ndryshimeve të temperaturës nga hapja dhe mbyllja.


- Për shkrirje optimale është e këshillueshme që shkrirja e produkteve të ngrira të bëhet gjithmonë duke i kaluar një natë më parë ose disa orë para gatimit në pjesën e freskuesit. Asnjëherë nuk duhet t'i shkrijmë në temperaturën e dhomës, pasi ngrirja nuk ka vrarë mikroorganizmat e mundshme të ndodhura në këto produkte, ngrirja vetëm ndalon shumëfishimin e tyre.
Një alternativë tjetër është shkrirja e shpejtë në mikrovalë dhe të gatuhen menjëherë.


-Për të siguruar eliminimin e sporeve të mikroorganizmave nga ushqimi është e nevojshme të gatuhen në temperatura mbi 120°. Këshillohet përdorimi i një termometri gatimi.

Nëse shfaqen simptoma të intoksikimit, është e rëndësishme kontakti sa më parë me mjekun e besuar.