Majdanozi: Përfitimet dhe Konservimi

majdanozi
30/09/2023

Majdanozi është një nga erëzat më të zakonshme dhe të gjithanshme në kuzhinë, i njohur jo vetëm për aromën dhe shijen e tij, por edhe për përfitimet shëndetësore. Konsiderohet si një domosdoshmëri sidomos në kuzhinën mesdhetare.

Vlerat ushqyese të majdanozit

Majdanozi preferohet të përdoret i papërpunuar për të ruajtur të gjitha vetitë e gjetheve të tij. Ai është një barishte aromatike me veti të panumërta terapeutike dhe shëruese, duke pasur parasysh përmbajtjen e lartë të vitaminave dhe kripërave minerale, të cilat reduktohen prej nxehtësisë së gatimit. 

Një lugë me gjethe majdanozi të grira përmban të njëjtën sasi të vitaminës C, si një portokall i vogël. Vitamina C mbështet sistemin imunitar, forcon sistemin e qarkullimit të gjakut dhe hollon gjakun. 

Për më tepër, majdanozi është gjithashtu një burim i shkëlqyer i beta-karotenit me një veprim antioksidant për lëkurën; i kalciumit, thelbësor për rimineralizimin e kockave, ndihmon në mbajtjen e flokëve dhe thonjve të shëndetshëm. 

Rrënjët janë të pasura me kalium, i cili i jep bimës veti diuretike dhe rregulluese të presionit të gjakut. Majdanozi është shumë diuretik dhe ndihmon në eliminimin e lëngjeve nga trupi. Prandaj, ai nxit eliminimin e toksinave dhe çdo agjenti infektiv, duke na siguruar vitaminat dhe mineralet thelbësore. Përveç kësaj, majdanozi ndihmon në parandalimin e formimit të gurëve në veshka dhe gurëve të tëmthit.

Në çdo rast, përpara se të merret çdo lloj preparati që përmban majdanoz për qëllime terapeutike, është mirë që paraprakisht të konsultoheni me mjekun.
 

Përdorimet në kuzhinë

Gjethet e freskëta të majdanozit apo edhe ne versionin e tharë, mund të përdoren për të shijuar një gamë të gjerë pjatash:

Erëza të freskëta: Gjethet e freskëta të majdanozit mund të copëtohen dhe të përdoren si erëza për sallata, supa, salca dhe pjata me mish dhe peshk.

Garnitura: Majdanozi është një element i shkëlqyer dekorativ për shumë pjata duke e shtuar atë si një garniturë për t'i dhënë ngjyrë dhe shije vakteve.

Pesto majdanozi: Mund të përftojmë një pesto të shijshme majdanozi duke përzier majdanoz të freskët, vaj ulliri, hudhër, arra pishe dhe djathë.

Përfitimet shëndetësore

Majdanozi nuk është vetëm një shtesë e shijshme për pjatat tuaja, por ofron edhe disa përfitime shëndetësore:

Antioksidantë: majdanozi përmban antioksidantë si vitamina C dhe klorofil, të cilat ndihmojnë në luftimin e dëmtimit të radikaleve të lira në trup.

Mbështetja e tretjes: Vetitë tretëse të majdanozit mund të ndihmojnë në reduktimin e fryrjes dhe përmirësimin e tretjes.

Kontrolli i inflamacionit: Disa përbërës në majdanoz mund të ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit në trup.

Shëndeti i kockave: Prania e vitaminës K dhe kalciumit në majdanoz është e dobishme për shëndetin e kockave.

Kur nuk duhet konsumuar majdanozi

Pavarësisht nga avantazhet e shumta, ka disa kundërindikacione që duhen marrë parasysh:


Alergjitë: Disa njerëz mund të jenë alergjikë ndaj majdanozit, kështu që është e rëndësishme të bëhet kujdes nëse dyshohet për një alergji.

Ndërveprimet e barnave: majdanozi mund të ndërveprojë me disa medikamente, kështu që nëse jeni duke marrë ndonjë medikament, konsultohuni me mjekun tuaj përpara se ta përfshini në dietën tuaj në sasi të mëdha.

Shtatzënia: Disa përbërës në majdanoz mund të jenë problematikë gjatë shtatzënisë, prandaj është mirë që të konsumohet në moderim ose nën mbikëqyrjen e mjekut. Duhet të përdoret me kujdes nga gratë shtatzëna pasi mund të favorizojë një abort të mundshëm, për shkak të veprimit relaksues të muskujve. 

Për përdorim të jashtëm, gjethet përdoren për të lehtësuar mavijosjet, dhimbjet e dhëmbëve dhe pickimet e insekteve . Përtypja e tij freskon frymëmarrjen në rast të erës së keqe, përmirëson lëkurën në përgjithësi duke i dhënë asaj elasticitet dhe ton. Nëse aplikohet gjatë periudhës së ushqyerjes me gji, shkakton regres të prodhimit të qumështit, prandaj rekomandohet aplikimi i tij në rast të mastitit.

Shmangni përdorimin në rast të sëmundjeve të veshkave, hepatitit kronik ose mbindjeshmërisë së provuar ndaj një ose më shumë përbërësve të majdanozit.

Majdanozi duhet konsumuar me moderim dhe t'i kushtohet vëmendje kundërindikacioneve, veçanërisht nëse keni kushte mjekësore para-ekzistuese.

Ruajtja dhe konservimi i duhur

Nëse mendojmë ta konsumojmë majdanozin brenda disa ditëve, mjafton ta vendosim në një gotë me pak ujë, në frigorifer. I mbajtur kështu, majdanozi do të mbetet i freskët për disa ditë.

Për të ruajtur majdanozin në ngrirje është e rëndësishme ta lajmë me kujdes duke e zhytur në një enë me tretësirë uji dhe bikarbonat, ta shpëlajmë dhe ta thajmë me shumë kujdes. 
Një truk është të përdorim enën me kuba akulli për të vendosur majdanoz. Vendosim gjethet dhe shtojmë pak ujë, në mënyrë që t'i marim një nga një sa herë të jetë e nevojshme.

Një mënyrë tjetër për ruajtjen e tij, është vendosja e majdanozit në vaj. Për përgatitjen, duhet ta lajmë dhe thajmë gjethet e majdanozit, më pas i vendosim në një kavanoz dhe i mbulojmë plotësisht me vaj. Më mirë të përdoret një kavanoz me mbyllje hermetike. Pasi të jetë gati, mbyllim kavanozin dhe e ruajmë në frigorifer.