Mjalte i pa-përpunuar vs Mjalte i pasterizuar

mjalte
31/10/2023

Teksa ekspolorojmë në botën e ushqimeve natyrale, një vëmendje e veçantë i kushtohet mjaltit. 
Ky produkt i ëmbël dhe i pasur me lëndë ushqyese është shijuar për mijëra vjet dhe është i njohur dhe i vlerësuar botërisht. 
Mjalti mund të pasterizohet ose të lihet i pa-pasterizuar, i njohur gjithashtu si mjaltë i pa-përpunuar ose i pafiltruar.

Mjalti i pa-përpunuar ka një strukturë të trashë, të grimcuar dhe një aromë intensive, të pasur që mund të ndryshojë në varësi të llojit të luleve nga është mbledhur. Shpesh herë kristalizohet për shkak të pranisë së sheqernave natyrale. Disa nga përfitimet e konsumimit të mjaltit të pa-pasterizuar përfshijnë praninë e enzimave, antioksidantëve dhe lëndëve ushqyese të rëndësishme si vitaminat dhe mineralet, pasi nuk i nënshtrohet asnjë lloj trajtimi termik.

Ndërsa mjalti i pasterizuar i nënshtrohet trajtimit të nxehtësisë për të hequr çdo papastërti dhe bakter, mjalti i pa-përpunuar ruan shumicën e vetive ushqyese dhe të dobishme natyrale të pranishme në mjaltë. Për më tepër, mjalti i pa-përpunuar përmban sasi të vogla poleni, dylli dhe propolisi, të cilat gjithashtu mund të kenë veti medicinale.

Dallimet midis mjaltit të pa-përpunuar dhe atij të pasterizuar mund të vërehen edhe në nivelin organoleptik. Mjalti i papërpunuar ka një aromë më intensive dhe aromatike, ndërsa mjalti i pasterizuar është më i ëmbël dhe më pak kompleks.

Mjalti i pa-përpunuar konsiderohet më i shëndetshëm se mjalti i pasterizuar, pasi ruan të gjitha vetitë e dobishme të mjaltit natyral. Ai është i pasur me antioksidantë, enzima tretëse, vitamina dhe minerale, si dhe çmohet për vetitë anti-bakteriale dhe anti-inflamatore. Mund të ndihmojë në reduktimin e simptomave të alergjisë sezonale, falë pranisë së polenit natyror.

Si ta njohim mjaltin cilësor

Shumë konsumatorë kërkojnë të shmangin mjaltin e pasterizuar në favor të mjaltit të patrajtuar dhe artizanal, të prodhuar nga kompani të vogla të specializuara. 
Por, si mund ta dallojmë mjaltin e pa-pasterizuar nga mjalti që i është nënshtruar trajtimit termik?


Etiketa
Gjithmonë kontrollohet etiketa e mjaltit që do zgjedhim. Nëse mjalti është i pa-pasterizuar, duhet të shkruhet shume qartë në etiketë. 


Kristalizimi
Mjalti i pa-pasterizuar tenton të kristalizohet më shpejt se mjalti i pasterizuar, i cili është shumë i lëngshëm dhe transparent.
Ka edhe disa lloje mjalti të pa-pasterizuar, të cilët për shkak të përbërjes së tyre pothuajse nuk kristalizohen, si mjalti i akacies.


Shija
Mjalti i pa-pasterizuar ka një aromë më intensive dhe artizanale se mjalti i pasterizuar.


Çmimi
Mjalti i pa-pasterizuar ka tendencë të jetë më i shtrenjtë se mjalti i pasterizuar, pasi kërkon përpunim më delikat dhe gjithashtu kërkon më shumë kohë për t'u prodhuar. Nëse çmimi i mjaltit që po blejmë është shumë i ulët, ai mund të jetë i pasterizuar.

Origjina
Mjalti i prodhuar në vend ose mjalti i blerë direkt nga prodhuesit vendas ka më shumë gjasa të jetë i pa-pasterizuar.

Testet e internetit për të kuptuar “mjaltin e mirë”

Shqetësimi më i shpeshtë tek konsumatorët është nëse jank në gjendje të identifikojnë nëse mjalti që po blejnë është i pastër apo i falsifikuar. Mjaltit "të falsifikuar" jo vetëm që i mungojnë vetitë e dobishme të mjaltit të pastër, por gjithashtu mund të jetë i dëmshëm për shëndetin tonë. 

Në internet ka teste të ndryshme që shpesh rekomandohen për të përcaktuar vërtetësinë e mjaltit, shumë nga këto teste janë jo-efektive dhe jo të besueshme.

1. Një test i zakonshëm është "testi i gishtit të madh", ku një pikë mjalti vendoset në gishtin e madh dhe vëzhgohet. Nëse mjalti përhapet ose pikon konsiderohet i papastër, ndërsa nëse mbetet i paprekur konsiderohet i pastër. 
Ky test nuk tregon domosdoshmërisht origjinën apo pastërtinë e mjaltit, pasi disa lloje mjalti nuk kristalizohen dhe të tjerat mund të mos kenë filluar ende të kristalizohen.

2. Një test tjetër përfshin shtimin e një luge mjaltë në një gotë me ujë. Nëse mjalti mbetet i paprekur konsiderohet i pastër, ndërsa nëse tretet konsiderohet i papastër. Gjithashtu, ky test është jo i besueshëm dhe nuk jep prova përfundimtare të pastërtisë së mjaltit.

3. "Testi i zjarrit", ku mjalti aplikohet në një top pambuku dhe ndizet. Nëse pambuku ndizet lehtë, mjalti konsiderohet natyral, ndërsa nëse nuk digjet konsiderohet i papastër. 
Përsëri, ky test është jo i besueshëm dhe nuk jep prova përfundimtare të pastërtisë së mjaltit.


Mënyrat më efektive për të përcaktuar autenticitetin e mjaltit janë vëzhgimi i ngjyrës, shijes, erës dhe strukturës së tij, si dhe blerja e mjaltit nga prodhues të besueshëm dhe të kualifikuar. 
Duke qenë të vetëdijshëm për këta faktorë dhe duke marrë vendime të informuara për blerjen, ne mund të sigurohemi që po konsumojmë mjaltë të pastër dhe të sigurtë.

Pse duhet të konsumohet me moderim

Pavarësisht përfitimeve ushqyese, mjalti duhet konsumuar me moderim për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit. Konsumimi i tepërt i sheqerit mund të çojë në probleme shëndetësore si obeziteti dhe diabeti. Është e rëndësishme të balancohet marrja e sheqerit, duke përfshirë mjaltin, me një dietë të ekuilibruar dhe një mënyrë jetese të shëndetshme.

Efekte anësore
Disa njerëz mund të jenë alergjikë ndaj mjaltit ose të zhvillojnë reaksione alergjike pas konsumimit të tij. Është e rëndësishme të jeni të kujdesshëm nëse jeni alergjik ndaj polenit, pasi mjalti mund të përmbajë gjurmë poleni. 
Gjithashtu, mjalti nuk rekomandohet për fëmijët nën një vjeç për shkak të rrezikut të botulizmit.