Organike vs Bio vs Natyrale: Zbulimi i dallimeve për një zgjedhje më të shëndetshme

Organike Bio Natyrale: Zbulimi i dallimeve
07/07/2023

Natyrale, Organike dhe Bio na shoqërojnë çdo ditë e më shumë midis kategorive të produkteve duke filluar nga ato ushqimore, tek pijet e deri tek produktet e bukurisë. 

Të kuptuarit e dallimeve midis këtyre etiketave mund të jetë mjaft konfuze dhe sfiduese, shpesh herë dhe falë marketingut agresiv. 

Etiketat dhe kuptimet e tyre

Organike: Etiketa "organike" tregon se prodhimi i produktit përfshin shmangien e pesticideve sintetike toksike, herbicideve, plehrave kimike, antibiotikëve dhe hormoneve të rritjes tek kafshët. Nëse një produkt është etiketuar si "organik i certifikuar", do të thotë që inspektorët e palëve të treta kanë verifikuar që standardet organike janë ndjekur gjatë prodhimit. Këto standarde mund të ndryshojnë në varësi të nivelit të certifikimit.


Etiketa "bio" është e ngjashme me "organike" dhe përdoret kryesisht në Bashkimin Evropian (BE). Kjo do të thotë se ushqimi është prodhuar nëpërmjet praktikave të bujqësisë organike që gjithashtu kanë prioritet mirëqenien e planetit dhe qëndrueshmërinë. Produktet e certifikuara "bio" rriten pa pesticide konvencionale, plehra artificialë, antibiotikë ose hormone të rritjes.

Etiketa "natyrale" është më pak e rregulluar dhe ka një kuptim më subjektiv. Në përgjithësi, kjo nënkupton që produkti nuk përmban aditivë artificialë ose sintetikë. Megjithatë, termi "natyrale" nuk merr parasysh procesin e prodhimit ose paketimit, i cili mund të përfshijë ende metoda sintetike.

Rregullat për vendosjen e etiketave

Etiketa "organike" ka rregulla strikte dhe njihet dhe besohet gjerësisht.

Produktet duhet të përmbajnë mbi 95% përmbajtje organike për t'u etiketuar si të tilla dhe të fitojnë të drejtën e vendosjes së logos organike. 

- Produktet me përmbajtje organike 70-95% mund të tregojnë përqindjen e përbërësve organikë, por nuk mund të përdorin logon organike. 

- Produktet me më pak se 70% përmbajtje organike mund të përmendin vetëm përbërësit organikë në listën e përbërësve, por nuk kërkojnë certifikim.
Etiketa "Bio": 
Rregulloret për etiketën "bio" ndryshojnë midis vendeve dhe disa kompani mund të përdorin termin pa certifikimin e duhur. Nëse një produkti i mungon logoja ose emri i institucionit çertifikues, këshillohet të tregohemi të kujdeshëm.
Etiketa "Natyrale": 
Nuk ka rregullore zyrtare për etiketën "natyrale", duke e lënë përkufizimin dhe përdorimin e saj kryesisht në vendimin e prodhuesëve. FDA (Food and Drug Administration)  deklaron se termi "natyrale" mund të përdoret nëse ushqimi nuk përmban ngjyres të shtuar, aromë artificiale ose substanca sintetike. Megjithatë, ky institucion nuk ofron udhëzime gjithëpërfshirëse.

Të ushqehemi me organike: A ndikon në shëndetin tonë?

Po, zgjedhja e ushqimit organik mund të bëjë një ndryshim për disa arsye:

Shmangia e pesticideve sintetike: Bujqësia organike shmang përdorimin e pesticideve sintetike, herbicideve dhe kimikateve, duke reduktuar ekspozimin ndaj substancave potencialisht të dëmshme.

Përfitimet ushqyese: Disa kërkime sugjerojnë se ushqimi i rritur në mënyrë organike mund të përmbajë nivele më të larta të lëndëve ushqyese si vitamina C, hekur, magnez dhe fosfor.

Shëndeti i fëmijëve: Fëmijët janë më të prekshëm ndaj efekteve të pesticideve, kështu që zgjedhja e produkteve organike mund të ndihmojë në mbrojtjen e tyre nga komplikimet e mundshme shëndetësore.

Acidet yndyrore omega-3: Mishi organik dhe produktet e qumështit janë gjetur se përmbajnë rreth 50% më shumë acide yndyrore omega-3 në krahasim me homologët e prodhuar në mënyrë konvencionale, sipas një studimi britanik. Qumështi organik gjithashtu tenton të ketë nivele më të ulëta të yndyrave të ngopura.


Mirëqenia e kafshëve dhe mjedisi: Praktikat e bujqësisë organike nxisin kushte më të shëndetshme të blegtorisë, reduktojnë përdorimin e antibiotikëve dhe hormoneve të rritjes dhe kufizojnë futjen e substancave të panatyrshme në tokë.




A janë produktet e çertifikuara, gjithmonë të shëndetshme?

Pë sa thënë më parë, produktet e etiketuara "organike" janë të dobishme për shëndetin tonë dhe mjedisin, por e njëjta gjë mund të mos zbatohet për ushqimet e paketuara. 

Faktorë si përmbajtja e sheqerit, përbërësit e përpunuar, aditivët dhe ngjyrosja janë thelbësore për t'u marrë parasysh për shëndetin e përgjithshëm. Edhe produktet organike të certifikuara mund të përmbajnë psh sheqer kaf organik, i cili mund të mos përputhet me një dietë të ekuilibruar. 
Produktet e etiketuara si "të bëra me përbërës organikë" mund të përmbajnë 70% përbërës organikë, por mund të përfshijnë akoma substanca të panatyrshme në atë pjesën e mbetur dhe 30% nuk është pak.

Rregullimi i lirë i etiketës "natyrale" i lejon markave ta përdorin atë për qëllime marketingu, edhe nëse produkti përmban sheqerna të rafinuara ose kimikate.


Blerje të shpejta dhe të duhura

Këshilla për marrjen e vendimeve shpejt dhe lehtë gjatë blerjeve:
Krijimi i një liste: Hulumtimi dhe krijimi i një liste markash ose dyqanesh që përputhen me vlerat tona dhe ofrojnë produktet që plotësojnë kriteret tona, do të na thjeshtojë procesin e blerjes.
Përdorimi i aplikacioneve për skanimin e etiketave: Disa aplikacione mund të skanojnë etiketat e produkteve dhe të japin informacion rreth përbërësve dhe efekteve të tyre të mundshme. Aplikacionet si Healthy Food, OpenFood-Facts, Yuka etj, na ndihmojnë të gjejmë produkte të përshtatshme shpejt dhe lehtë gjatë blerjeve dhe të ruajmë informacione për referencë në të ardhmen.

Të edukojmë veten: Të mësojmë të lexojmë dhe kuptojmë etiketat për t'i përshtatur blerjet sipas nevojave tona është thelbësore, kuptimi i dallimeve do t'na mundësojë të bëjmë zgjedhje më të informuara.

Raporti çmim/ vlerë

- Produktet organike janë përgjithësisht më të shtrenjta se ato konvencionale. Nëse kostoja shtesë ia vlen varet nga zgjedhja personale. Nëse mund të përballoni të gjitha produktet organike, kjo është shumë mirë, por mund të mos jetë e realizueshme për të gjithë. 

- Përqendrohemi në eliminimin e ushqimeve të përpunuara, sheqernave jo të shëndetshme dhe përfshirjen e ushqimeve të shëndetshme të sapo gatuara, në dietën tonë. 

- I japim përparësi blerjeve organike për ushqimet e konsumuara çdo ditë dhe për produktet shtazore. 

Mos harrojmë se, respektimi rigoroz i një plani ushqimor organik nuk garanton shëndetin e përgjithshëm;

                            Një qasje e balancuar është çelësi!!