Si konservohet kungulli i njomë?
04/07/2023
Kungulli i njomë ka pak kalori, përmban rreth 95% ujë dhe është një burim i mirë i fibrave dietike. Gjithashtu është i pasur me vitamina si vitamina C, vitamina A, vitamina K dhe vitamina B6, si dhe me minerale si kaliumi dhe mangani. Ruajtja e duhur e ushqimit na ndihmon të mos e shpërdorojmë atë, dhe së bashku me ruajtjen e duhur ka edhe zakone të tjera të mira që duhet t'u përmbahemi për të luftuar çdo ditë mbetjet ushqimore.
Si të ruajmë kungullin e njomë në frigorifer:
Kungujt e njomë mund të ruhen në frigorifer, në ndarjen e perimeve, për rreth një javë. Këshillohet vendosja e tyre brenda qeseve, të cilat falë mikrovrimave, eliminojnë lagështinë e tepërt dhe ruajnë freskinë e perimeve për më gjatë.
Si të ruajmë kungullin e njomë në ngrirje:
Nëse kemi një sasi të madhe kungujsh, mund t'i ngrijmë dhe kështu minimizojmë mbetjet ushqimore, si dhe i kemi gjëndje për t'i konsumuar edhe jashtë sezonit të tyre. - Heqim skajet dhe i lajmë mirë nën ujë të rrjedhshëm. - I thajmë dhe i presim në copa ose kubikë mjaft të mëdhenj. - I ziejmë në ujë pasi merr valën, për rreth 2 minuta, i kullojmë mirë dhe i lëmë të ftohen. (blanching/zbardhja) - Vendosim copat krah për krah në një tepsi ose enë, mbulojmë dhe i ngrijmë paraprakisht derisa të forcohen. - I transferojmë kungujt në një qese frigoriferike. Kështu do të ngrijnë veçmas, nuk do të ngjiten së bashku dhe gjatë përdorimit mund të zgjidhen individualisht. Konsumohen mundësisht brenda 6-8 muajsh.