Thjerrëzat/ Bishtajoret

29/06/2023

Thjerrëzat, kaq të njohura gjithmonë, në të kaluarën konsideroheshin si “mishi i të varfërve”. 
Ka lloje të ndryshme të thjerrëzave, ndër të cilat shpesh është e vështirë të zgjedhim varietet më të zakonshme dhe më të lehtat për t'u gatuar.

Ushqyese, ekonomike, të thjeshta për t'u përgatitur: thjerrëzat janë ndër produktet themelore të kuzhinës. Ato blihen të thata dhe duhet të ruhen në errësirë, në një vend të freskët dhe të thatë. Në rastin e varieteteve me lëkurë të hollë, ose thjerrëzave të kuqe, nuk kërkohet njomja para gatimit.

Vlerat ushqyese të thjerrëzave

Thjerrëzat, në të vërtetë, duhet të konsiderohen si një pasuri nutrientësh. 
Farat e vogla përmbajnë sasi të mira të proteinave, duke qënë një nga më të pasurat në mesin e bishtajoreve. Është e vështirë të përcaktosh se cilës kategori ushqimore i përkasin, ato janë gjithashtu një burim i mirë i karbohidrateve. 

Të varfra në lipide, thjerrëzat ofrojnë një sasi të konsiderueshme fibrash. Një porcion mbulon rreth një të katërtën e sasisë ditore të fibrave të rekomanduara.

Shpesh tek ata që nuk janë mësuar të konsumojnë bishtajore, mund të sjellin siklet në zorrë. Kjo është pjesërisht për shkak të llojit të fibrave të pranishme tek bishtajoret, të cilat metabolizohen lehtësisht nga bakteret duke rezultuar në ënjtje. 

Përthithja e vlerave ushqyese të thjerrëzave

Gjithashtu, thjerrëzat janë të pasura me vitamina, minerale dhe hekur. Forma e hekurit që përmbahet në ushqimet me origjinë bimore është ajo e cila përthithet me më shumë vështirësi nga trupi.
 
Megjithatë, disa masa paraprake mund të përmirësojnë përthithjen e tij. Për shembull acidet organike, si vitamina C, favorizojnë përthithjen e tij në zorrë. 

Prandaj një supë me thjerrëza me copëza speci djegës të freskët të shtuar në fund të gatimit, përfaqëson një pjatë që mund të lehtësojë përthithjen e këtij minerali të çmuar, i cili kryen funksione të shumta në organizëm, para së gjithash merr pjesë në transportin e oksigjenit në inde.

Llojet e thjerrëzave

Thjerrëzat e kuqe: Këto thjerrëza janë delikate (rekomnadohen kur vendosen rishtazi në dietë) dhe kanë një aromë të ëmbël. Karakteristika e tyre është se pasi janë gatuar, priren të bëhen pak kremoze, prandaj përdoren shpesh për të trashur supat dhe puretë.


Thjerrëzat e verdha: Ngjashëm me thjerrëzat e kuqe, thjerrëzat e verdha gatuhen për rreth 15 deri në 20 minuta. Një gjysmë filxhani me thjerrëza të kuqe ose të verdha, të papërpunuara sigurojnë 22 gram proteina, 10 gram fibra, 40 mg kalcium, 6 mg hekur dhe 600 mg kalium.


Thjerrëzat jeshile: Thjerrëzat jeshile janë të pasura me antioksidantë, hekur dhe magnez. Ato shoqërohen veçanërisht mirë me sallatat apo të shërbehen dhe si një pjatë e vetme me perime. 
Nga të gjitha varietetet, kërkojnë më shumë kohë për t'u gatuar, rreth 45 minuta, pasi e ruajnë mirë formën e tyre.


Thjerrëzat kafe: Thjerrëzat kafe janë varieteti më i zakonshëm, të cilat mbajnë mirë formën e tyre dhe mund të përdoren në mënyrë të ngjashme me thjerrëzat jeshile.

Ato kanë një aromë pak më delikate dhe tokësore. Mund të përdoren në kuzhinë për të bërë pjata të ndryshme, për t'u shijuar vetëm por edhe për të bërë hamburgerë të bëra vetë, ose të shoqëruara me perime të pjekura në skarë.

Thjerrëzat e konservuara

Thjerrëzat e konservuara janë një alternativë e shkëlqyer, sepse ato ruajnë karakteristikat e tyre ushqyese dhe na lejojnë t'i konsumojmë këto ushqime edhe kur kemi pak kohë në dispozicion. 

Gjithçka që duhet të bëjmë është t'i shpëlajmë mirë për të eleminuar lëngun konservues, shpesh të pasur me kripë dhe të mos shtojmë më kripë gjatë përgatitjes.

Këshillë

Thjerrëzat nuk kërkojnë domosdoshmërisht të qëndrojnë në ujë paraprakisht, mjafton t'i shpëlajmë shumë mirë me ujë të bollshëm. 
Kohëzgjatja e gatimit është e zvogëluar në krahasim me bishtajoret e tjera megjithatë, përdorimi i tenxheres me presion shkurton edhe më shumë kohën e përgatitjes.